Shtyhet afati për aplikimin në programin “Trajnimi i Trajnerëve”
Projekti “EU 4 Inclusive Teaching” do të shtyjë afatin për të aplikuar në programin “Trajnimi i Trajnerëve”. Afati i ri për dorëzimin e kandidaturave do të jetë data 6 Janar 2023, ora 17:00.
Thirrja u drejtohet mësuesve të rinj, Drejtuesve të Rrjeteve Profesionale dhe Drejtorëve/Nëndrejtorëve të Shkollave Publike pjesë e sistemit para-universitar për të marrë pjesë në programin e trajnimit. Programi i trajnimit do të rrisë kapacitetet përmes zhvillimit profesional të tyre, duke u përqendruar në mësimdhënien gjithëpërfshirëse dhe zbatimin e kurrikulës së bazuar në kompetenca.
Projekti “EU 4 Inclusive Teaching” do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në arsimin para-universitar në Shqipëri, përmes përfshirjes së metodave moderne të mësimdhënies të bazuar në kompetenca dhe gjithëpërfshirje. Projekti parashikon përgatitjen e kurrikulave të reja, trajnim për mësuesit dhe mbështetje ndaj shërbimeve psiko-sociale në shkolla. Gjithashtu, projekti do të ofrojë mbështetje për dy shkolla, atë të fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe atë të fëmijëve që nuk shikojnë, me qëllim kthimin e tyre në qendra burimore kombëtare.
Programi i trajnimit është një prej elementeve kryesore të projektit “EU 4 Inclusive Teaching”, i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), i cili zbatohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Tampere (TAMK), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP), Njësinë Qendrore të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU) nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë dhe Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë. Projekti ka nisur zbatimin në shkurt të vitit 2022 dhe do të zgjasë deri në dhjetor të vitit 2024.
Duke marrë në konsideratë numrin e lartë të aplikimeve si dhe kërkesat e shumta për të shtyrë afatin për dorëzimin e kandidaturave, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në konsultime të ngushta më partnerët në zbatimin e projektit, kanë vendosur të shtyjnë deri në datën 6 Janar afatin e ri për aplikime në programin “Trajnimi i Trajnerëve”.
Për të aplikuar në programin “Trajnimi i Trajnerëve” kandidatëve do t’u duhet të plotësojnë formularin e aplikimit online dhe të përgatisin për të ngarkuar dokumentet e mëposhtme:
- Vërtetim i ushtrimit të detyrës (lëshohet nga Drejtoria e Shkollës apo Zyra Vendore Arsimore);
- Vërtetim se ndaj aplikantit nuk janë ndërmarrë masa disiplinore (lëshohet nga Drejtoria e Shkollës apo Zyra Vendore Arsimore);
- Diplomë të Studimeve Universitare (Bachelor, Master, Doktoraturë);
- Certifikata që lidhen me zhvillimin tuaj profesional (dëshmitë e zhvillimit profesional do të konsiderohen përparësi për kandidaturën)
- Certifikata nga Shkolla e Drejtorëve (vetëm për Drejtorët/Nëndrejtorët e Shkollave), nëse ekziston.
Për të lexuar më shumë mbi programin e aplikimit, ju lutem ndiqni këtë lidhje.
Plotësimi i formularit të aplikimit mund të bëhet në këtë lidhje.
Afati për dorëzimin e kandidaturave do të jetë data 6 Janar 2023, ora 17:00.
Recent Comments